Application for the Program

Dokumentet e nevojshme që kandidati i interesuar duhet të dorëzojë dhe mënyra e aplikimit përcaktohen si më poshtë:

Të dhënat e kandidatëve do të grumbullohen duke respektuar Ligjin Nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” i ndryshuar.

 

Dokumentet e nevojshme për aplikim:

  1. Formular aplikimi (shihni më poshtë);
  2. Letër motivimi i/e aplikantit;
  3. CV i/e aplikantit sipas modelit Europass;
  4. Fotokopje e dokumentit të identifikimit të vlefshëm;
  5. Mandat pagese për tarifën e aplikimit në vlerën prej 1000 lekë të reja, në llogarinë bankare të Shkollës së Drejtorëve (të dhënat bankare i gjeni te seksioni Tarifat e Programit / www.csl.edu.al/course/tarifat-programit-iap);
  6. Vërtetim për masat disiplinore lëshuar nga punëdhënësi ose ZVAP përkatëse;
  7. Vetë deklarim nga aplikanti që nuk është/ka qenë i dënuar penalisht;
  8. Projekt për zhvillimin e institucionit të sistemit parauniversitar mbështetur në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Sistemit Parauniversitar në Shqipëri (jo më shumë se 3 faqe);
  9. *Kopje të Diplomave universitare, të Listave përkatëse të notave dhe të Licencës për ushtrimin e profesionit;
  10. *Kopje të Kategorisë së Kualifikimit dhe të Dëshmisë së Gjuhës së huaj;
  11. Certifikata të trajnimeve të zhvilluara;
  12. Letër rekomandimi nga drejtuesi i institucionit, e firmosur dhe e vulosur me datën më të fundit. Në rastin kur aplikanti nuk është aktualisht në marrëdhënie pune, letrën e rekomandimit duhet ta marrë nga institucioni arsimor i punësimit të tij më të fundit  (dokument opsional).

Nuk është i nevojshëm noterizimi i dokumenteve, mjafton kopje e tyre.

 

Procedura e aplikimit:

Shkolla e Drejtoreve do të pranojë vetëm dorëzimin e aplikimit online në faqen zyrtare të Shkollës së Drejtorëve, seksioni përkatës i aplikimit.

Përpara se të nisni aplikimin online, sigurohuni që të gjithë dokumentet t’i keni të skanuara në format elektronik. Dokumentacioni elektronik që shoqëron aplikimin tuaj online, do të ngarkohet në sistem pasi të keni plotësuar online formën e aplikimit. Për çdo dokument mund të ngarkohet vetëm 1 file elektronik.

Kujdes! Në fund të aplikimit online, sigurohuni t’i jepni “Dërgo” aplikimit tuaj, në mënyrë që të përfundoni procesin e aplikimit. Kontrolloni emailin tuaj për konfirmimin e marrjes së aplikimit nga ana e Shkollës së Drejtorëve.

Nëse keni pyetje për procesin e aplikimit online mund të lexoni udhëzimet e dhëna në seksionin përkatës në faqen zyrtare www.csl.edu.al ose të na shkruani në: info@csl.edu.al

 

Procedura e vlerësimit të aplikimeve:

Shkolla e Drejtorëve organizon procesin e vlerësimit, pranimit dhe regjistrimit të drejtuesve në detyrë dhe aspirantëve për drejtues në programin e trajnimit për drejtuesit e institucioneve të arsimit parauniversitar, sipas rregullores “Për zhvillimin profesional dhe kualifikimin e drejtorëve/nëndrejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri”, të miratuar nga Bordi Drejtues i Shkollës së Drejtorëve.

Përfshirja e drejtuesit në detyrë dhe e mësuesit që aspiron për t’u bërë drejtues në programin e trajnimit do të kryhet sipas kuotave dhe shtrirjes kohore dhe territoriale të përcaktuara me vendim të Bordit Drejtues të Shkollës së Drejtorëve. Bordi Drejtues i Shkollës së Drejtorëve shpall çdo vit kuotat e pranimit në programin e trajnimit. Kandidatët të cilët kalojnë filtrin përzgjedhës dhe pranohen në programin e trajnimit do të njoftohen nga Shkolla e Drejtorëve se në cilën kohortë do të regjistrohen dhe do të ndjekin programin e trajnimit.

Aplikimet do të shqyrtohen çdo 2 javë nga komisioni përkatës i vlerësimit duke filluar nga data 11.05.2020