Irida Shulku

Irida Shulku është Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (AKAP), me një përvojë të konsoliduar mbi 16-vjeçare në fushën e edukimit, zhvillimit institucional dhe hartimit të politikave arsimore. Ajo ka përfunduar studimet universitare katërvjeçare për Gjuhë Angleze në periudhën 1997–2001, me rezultate të larta, dhe mban një diplomë Master të nivelit të dytë në fushën e Edukimit nga Universiteti Europian i Tiranës, përfunduar në periudhën korrik 2014.

 

 

Në rolin e saj aktual si Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme në AKAP, Znj.Shulku luan një rol kyç në drejtimin dhe mbikëqyrjen e reformave në sistemin parauniversitar, me fokus të veçantë në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe modernizimin e praktikave arsimore. Znj.Shulku ka shërbyer si eksperte edukimi në projektin kombëtar GovTech, një nismë strategjike në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, AKSHI-n dhe partnerë ndërkombëtarë si Banka Botërore, për të implementuar dhe zbatuar laboratorët SMART në shkollat publike të Shqipërisë.

 

 

Përveç angazhimeve në nivel kombëtar, Znj Shulku është gjithashtu anëtare e bordit në projekte të rëndësishme ndërkombëtare të udhëhequra nga UNDP dhe Observatori Evropian për Mësimdhënien e Historisë (OHTE), një strukturë institucionale e Këshillit të Evropës ku përfaqëson Shqipërinë në forume ndërkombëtare që promovojnë edukimin gjithëpërfshirës, qytetarinë aktive dhe qasjen shumëperspektivëshe në mësimdhënie.

 

 

Znj. Shulku është e përkushtuar ndaj reformimit të sistemit arsimor shqiptar dhe ndërtimit të një arsimi të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të përparuar, duke luajtur një rol aktiv në zhvillimin e politikave arsimore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.