Hapet thirrja e 10-të për aplikime në Programin e Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për Certifikim për Drejtues të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar.
Afati i aplikimit: 1 – 30 Nëntor 2024.
Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar hap thirrjen e re për aplikime në Programin e Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për Certifikim për drejtues të IAP, për të gjithë drejtorët/nëndrejtorët në detyrë dhe mësuesit që aspirojnë për t’u bërë drejtor shkolle.
Thirrja është e hapur për drejtues në detyrë në Institucionet e Arsimit Parauniversitar të Mesëm të Ulët dhe të Mesëm të Lartë dhe kandidatët për drejtues të IAP-ve që janë mësues të kualifikuar dhe ushtrojnë ose e kanë ushtruar profesionin e tyre, si në institucionet publike dhe në ato private.
Kandidatët e interesuar, përpara se të fillojnë përgatitjen e dokumenteve për aplikim, duhet të sigurohen që të plotësojnë kriteret e shpallura për përzgjedhjen e kandidatëve.
Kriteret që duhet të plotësojnë drejtorët/nëndrejtorët në detyrë dhe mësuesit që aspirojnë për t’u bërë drejtues janë:
- Kanë përfunduar në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të dytë ose kanë ndjekur një program studimi 4 vjeçar në fushën e mësuesisë dhe janë pajisur me diplomën përkatëse, ose janë diplomuar jashtë vendit në një program të ciklit të dytë në fushën e mësuesisë dhe kanë kryer njehsimin e diplomës pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore.
- Kanë përvojë punë si mësues dhe kanë së paku kategorinë “Mësues i Kualifikuar”.
- Nuk kanë masa disiplinore në fuqi në momentin e aplikimit.
Aplikimi për Programin e Trajnimit.
Dokumentet e nevojshme që kandidati i interesuar duhet të dorëzojë dhe mënyra e aplikimit përcaktohet si më poshtë. Të dhënat e kandidatëve do të grumbullohen duke respektuar Ligjin Nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” i ndryshuar.
Dokumentet e nevojshme për aplikim janë:
- Dokumentet e nevojshme për aplikim janë:
- Letër motivimi i/e aplikantit;
- CV i/e aplikantit sipas modelit Europass; Format CV
- Fotokopje e dokumentit të identifikimit të vlefshëm;
- Mandat pagese për tarifën e aplikimit në vlerën prej 1000 lekë të reja, në llogarinë bankare të Shkollës së Drejtorëve (të dhënat bankare i gjeni te seksioni Tarifat e Programit/ https://www.csl.edu.al/course/tarifat-programit-iap/ );
- Vërtetim për masa disiplinore lëshuar nga punëdhënësi ose ZVAP përkatëse;
- Formular vetë deklarimi që aplikanti nuk ka qenë i dënuar penalisht; Formular Vetëdeklarimi
- Projekt për zhvillimin e institucionit të sistemit parauniversitar mbështetur në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Sistemit Parauniversitar në Shqipëri. Format Projekt Propozimi
- Certifikata të trajnimeve të zhvilluara;
- Kopje të Diplomave universitare, të Listave përkatëse të notave dhe të Licencës për ushtrimin e profesionit;
- Kopje të Kategorisë së Kualifikimit dhe të Dëshmisë së Gjuhës së huaj;
- Letër rekomandimi nga drejtuesi i institucionit. Në rastin, kur aplikanti nuk është aktualisht në marrëdhënie pune, letrën e rekomandimit duhet ta marri nga institucioni arsimor i punësimit të tij më të fundit.
- Nuk është i nevojshëm noterizimi i dokumenteve, mjafton kopje e tyre.
Procedura e aplikimit
Shkolla e Drejtorëve do të pranojë vetëm aplikimet online përmes seksionit përkatës të aplikimit Apliko Këtu!
Përpara se të nisni aplikimin online, sigurohuni që të gjithë dokumentet t’i keni të skanuara në format elektronik. Dokumentacioni elektronik që shoqëron aplikimin tuaj online, do të ngarkohet në sistem përmes llogarisë tuaj të aplikimit që do të krijoni.
Nëse keni pyetje për procesin e aplikimit online mund të na shkruani në: info@csl.edu.al
Afati i dorëzimit të aplikimeve dhe procedura e vlerësimit.
Aplikimet do të pranohen gjatë periudhës : 1 – 30 Nëntor 2024
Aplikimet do të shqyrtohen nga Komisioni i vlerësimit të kandidatëve, sipas kategorive dhe pikëzimit të përcaktuar në “Rregulloren për zhvillimin profesional dhe kualifikimin e drejtorëve/nëndrejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri”.
Shkolla e Drejtorëve organizon procesin e vlerësimit, pranimit dhe regjistrimit të drejtuesve në detyrë në programin e trajnimit për drejtuesit e institucioneve të arsimit parauniversitar, sipas rregullores “Për zhvillimin profesional dhe kualifikimin e drejtorëve/nëndrejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri”, të miratuar nga Bordi Drejtues i Shkollës së Drejtorëve.
Kandidatët, të cilët kalojnë filtrin përzgjedhës dhe pranohen në programin e trajnimit do të njoftohen nga Shkolla e Drejtorëve se në cilën kohortë do të regjistrohen dhe ndjekin programin e trajnimit.
Trajnimi zhvillohet me kohë të pjesëshme, pa shkëputje nga puna. Në përfundim të programit të trajnimit, pjesëmarrësit në program i nënshtrohen testimit për t’u pajisur me certifikatën përkatëse për drejtues të institucionit të arsimit parauniversitar të formimit profesional.
Nëse drejtori në detyrë e humbet pozicionin e punës si drejtues shkolle nga momenti i aplikimit deri në regjistrimin e tij në trajnimin e detyrueshëm përgatitor, ai ka të drejtën të vijojë ndjekjen e programit në cilësinë e mësuesit si aspirant për drejtues të institucionit të arsimit parauniversitar.