Më 4 Tetor 2018, në mjediset e Shkollës së Drejtorëve të IAP, në prani të Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama dhe të kryetarit të Bordit Drejtues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) z. Michael Granoff , u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit për krijimin dhe ngritjen e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar në Shqipëri. Kjo qendër do të financohet nga AADF dhe do të mbështetet nga MASR për funksionimin dhe arritjen e objektivave të saj. Kjo marrëveshje është nënshkruar për një kohëzgjatje 10 vjeçare. Të pranishëm në aktivitet ishin dhe z. Aleksandër Sarapuli dhe z. Martin Mata, Bashkëdrejtorë Ekzekutivë të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe zj. Lindita Nikolla, Ministër, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Politika dhe strategjia e Ministrisë për zhvillimin e arsimit parauniversitar synon të përmirësojë performancën e drejtuesve të IAP-së, të sigurojë një cilësi të lartë të menaxhimit të shkollës, të avancojë aftësitë e drejtorëve si drejtues arsimorë dhe të vazhdojë të promovojë trajnimin e drejtorëve dhe rritjen profesionale të tyre, të gjitha në interes të përmirësimit të arritjeve arsimore të shkollave dhe të nxënësve.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe AADF kanë një histori të gjatë dhe të suksesshme bashkëpunimi për përmirësimin e sistemit arsimor në Shqipëri, promovimin e disponueshmërisë së një arsimi cilësor dhe përmirësimin e arritjeve arsimore. Ministria dhe AADF, me qëllim avancimin e politikës së lartpërmendur të Ministrisë, finalizuan këtë bashkëpunim për krijimin e Shkollës së Drejtorëve, si një qendër formimi profesional dhe ekspertize në fushën e menaxhimit të shkollës dhe lidershipit për drejtuesit dhe mësuesit e IAP.