20 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Lumturisë
Posted on 03/04/2020

“Nuk është ajo që keni, kush jeni, ku jeni, apo ajo çfarë bëni që ju bën të lumtur ose jo. Është ajo çfarë ju mendoni.”

Dale Carnegie

Dita Ndërkombëtare e Lumturisë festohet në mbarë botën çdo vit në 20 Mars. Fillimisht u konceptua dhe u themelua në vitin 2006 nga Jayme Illien, CEO e projektit të Kombeve të Bashkuara, organizatë që e ka cilësuar lumturinë si një qëllim themelor për t’u ndjekur nga të gjithë njerëzit.

Të qënurit i lumtur kërkon plotësim të shumë aspekteve të jetës së përditshme. Një nga këto është edukimi. Një fëmijë apo staf pedagogjik kalon rreth 7 orë të ditës në mjediset shkollore. Pra, mund të themi që ndikimi është relativisht i lartë.

Kur kujtojmë ditët tona të shkollës, një buzëqeshje shfaqet menjëherë në fytyrën tonë: kur kujtojmë miqësinë; mësuesit dhe mësimet argëtuese. Për të tjerë, kujtimi i shkollës është diçka që duan ta harrojnë.

Duke synuar të promovojë lumturinë, mirëqenien dhe zhvillimin tërësor në shkolla, UNESCO në Bangkok ka filluar projektin “Shkolla e Lumtur”. I përqëndruar në konceptet thelbësore – Njerëzit, Procesi, Vendi – ky projekt përfshin ndërtimin e marrëdhënieve pozitive midis mësuesve dhe nxënësve; promovimin e argëtimit dhe angazhimit në të nxënë dhe krijimin e një mjedisi shkollor pa bullizëm. Ai ofron një vizion të ndryshëm për cilësinë e arsimit, në të cilin vlerësohen, njihen dhe festohen talentet, pikat e forta dhe aftësitë unike të nxënësve.

Provat janë të qarta se kur mësuesit dhe nxënësit janë të lumtur në shkollë, të gjithë përparojnë më mirë. Studimet tregojnë se kur stafi është i lumtur në punë ata janë më produktiv, më kreativ; sëmuren më pak; janë më të mirë në punët e tyre dhe kanë nxënës më të lumtur.

 

Pesë këshilla për ndërtimin e një shkolle të lumtur sipas projektit të UNESCO-s:

Krijimi i lidhjeve
Shkollat e lumtura bëjnë lidhje midis kolegëve, nxënësve dhe prindërve dhe e shohin këtë si një domosdoshmëri absolute. Shkollat më të lumtura janë ato që i bëjnë të gjithë të ndihen se i përkasin një komuniteti ku janë të mirëpritur, të sigurt dhe ku mund të jenë vetvetja. Krijimi i lidhjeve është gjithashtu i rëndësishëm, edhe për Shkollën e Drejtorëve, ku një nga standarded e Drejtuesit të Shkollës është “Drejtimi i shkollës në partneritet me prindërit dhe komunitetin e gjerë”. Drejtorët e shkollave krijojnë marrëdhënie pozitive shtëpi – shkollë, me qëllim që t’u ofrojnë prindërve dhe komunitetit më të gjerë të shkollës mundësinë të japin ndihmesën e tyre për vazhdimësinë e përmirësimeve në performancën e nxënësve si në periudha afatshkurtra, ashtu edhe afatgjata.

Drejtësia dhe barazia
Të trajtosh të tjerët me drejtësi dhe respekt është themeli për një shkollë më të lumtur. Kjo ka të bëjë me rregullat dhe pritshmëritë, me shpërblime dhe sanksione, të cilat janë të qarta, të drejta dhe jo shumë ndëshkuese. Drejtësia ka të bëjë gjithashtu me pritshmëritë realiste për njerëzit.

Fuqizimi
Shkollat që u besojnë mësuesve të tyre, duke u dhënë autonomi për të përfunduar punën e tyre, shpesh kanë personelin më të lumtur. Kur mësuesit ndihen të aftë të përdorin forcat e tyre për të bërë një punë të mirë, shpesh ata mund t’i kalojnë pritshmëritë duke patur më shumë sukses. Por mbani mend, kjo nuk ka të bëjë vetëm me mësuesit. Nxënësve u duhet besuar të përdorin gjykimin e tyre, të marrin përsipër përgjegjësi dhe të tregojnë se çfarë janë të aftë të bëjnë.

Sfidimi
Mësimi i gjërave të reja është një aspekt kryesor i një jete të lumtur. Kur jemi të angazhuar dhe të interesuar në punën tonë, ndihemi më mirë. Nëse puna jonë nuk është mjaft sfiduese, mërzitemi, por nëse është shumë sfiduese, na stërlodh. Prandaj, kur jepni mësim, synoni t’i sfidoni nxënësit me punë apo detyra jashtë rutinës së përditshme.

Qëllimi
Kur bëjmë punë që besojmë se është vërtet e vlefshme, mund të na motivojë në periudha të vështira. Shkollat më të lumtura shpesh kanë një qëllim dhe vizion të qartë – stafi mësimdhënës e di pse ata paraqiten për të punuar çdo ditë dhe nxënësit e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Kur të gjithë kanë një qëllim të përbashkët, edhe pengesat në dukje të pakapërcyeshme mund të tejkalohen. Kështu, drejtorët e shkollave punojnë në bashkëpunim me mësuesit për krijimin e një vizioni të përbashkët të zhvillimit të shkollës, bazuar në përparësitë strategjike.

 

Eksperti i lumturisë, Prof. Richard Layard, thotë se “Një shoqëri nuk mund të lulëzojë pa një koncept të qartë të qëllimit të përbashkët.”

Fakti që sistemi arsimor shqiptar për shumë kohë ka patur një frymë lindore autoritare, mund ta vështirësojë krijimin e një mjedisi shkollor të gëzuar. Por, edhe shkolla shqipare po bën hapa për t’iu afruar sa më shumë një mësimdhënie bashkëkohore. Krijimi i një “shkolle të lumtur” është proces që kërkon pjesëmarrjen e të gjitë aktorëve të sistemit arsimor. Por, domosdoshmërisht drejtuesit e shkollave kanë një rol kyç, duke krijuar hapësira për të plotësuar kushtet që e bëjnë shkollën një mjedis që gjeneron pozitivitet, bashkëpunim, drejtësi dhe ka një vizion të qartë zhvillimi.

 

Shkolla e Drejtorëve me synimin e shtimit të “shkollave të lumtura” në Shqipëri, ka hartuar Standardet e Drejtuesit të Shkollave, të cilat janë miratuar në Urdhërin nr.477 (30. 09.2019) të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

 

https://bangkok.unesco.org/sites/default/files/assets/article/Education/files/thematicbriefhappyschools.pdf

https://bangkok.unesco.org/theme/happy-schools