Ceremonia e Diplomimit të Brezit të Parë të Drejtuesve dhe Kandidatëve për Drejtues të Certifikuar për Drejtimin e Institucioneve të Arsimit Parauniversitar – IAP- 23 korrik 2020
Posted on 29/07/2020

Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar – IAP- certifikoi pas përfundimit të Programit të Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor, brezin e parë të drejtuesve dhe kandidatëve që synojnë të jenë drejtues në shkollat ku ata punojnë.

Në Nëntor 2019 filloi procesi i trajnimit të brezit të parë të 48 aplikantëve nga Tirana që u përzgjodhën midis 140 drejtuesve aktualë dhe kandidatëve për drejtues që aplikuan nga institucionet publike e private të arsimit parauniversitar  të qarkut Tiranë, për të marrë pjesë në këtë program.

Programi i Trajnimit të Detyrueshëm u zhvillua përgjatë 9 muajve, i organizuar ne tre semestra.  Semestri i tretë dhe i fundit u ndikua në mënyrë të drejtpërdrejtë nga pandemia globale e COVID-19. Përballë një situatë të pashembullt, Shkolla e Drejtorëve u angazhua për mbarëvajtjen e aktiviteteve te saj, duke kaluar tërësisht në mësimdhënie në distancë, duke përdorur platformat online.

46 pjesëmarrës përfunduan me sukses Programin e Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor ku u përfshinë 17 drejtorë, 17 nëndrejtorë dhe 12 mësues kandidatë për drejtues në Institucionet publike e private të arsimit parauniversitar të qarkut Tiranë.   Më pas ata  vijuan procesin e certifikimit i cili u krye mbi bazën   e vlerësimit të  tre elementëve : a) Hartimit të Projekt final, vetëvlerësimi dhe plani i veprimit; b) Testi me shkrim  për  raste studimore; c) Testi i njohurive mbi standardet e drejtuesit të IAP.

Ceremonia e diplomimit u përshëndet përmes video-mesazheve nga z. Edi Rama, Kryeministër i RSH, bashkë-drejtori ekzekutiv i AADF z. Martin Mata, anëtare e Bordit të Shkollës së Drejtorëve znj. Yehudit Shalvi, znj Lindita Nikolla, Deputete e Kuvendit te RSH, znj. Nina Guga, zv/Ministre të Arsimit dhe znj. Zamira Gjini, Drejtoreshë e Përgjithshme Politikave dhe Zhvillimit të Edukimit, Sportit dhe Rinise, MASR.

Me gjithë pasiguritë që situata e pandemisë ka krijuar, Shkolla e Drejtorëve synon që të vijojë programin e trajnimit me rreth 200 pjesemarrës të tjerë në vjeshtë 2020, duke e shtrirë programin edhe ne rajone të tjera si Durrësi dhe Elbasani.  Edhe pse situata e pandemisë mund të kushtëzojë një program trajnimi me format të dyanshëm duke ndërthurur sesionet e  trajnimit në klasë dhe ato online, Shkolla e Drejtorëve është e përkushtuar të vijojë me ofrimin e  trajnimit edhe në formatet e reja  pa kompromentuar në asnje rast cilësinë e tij.