Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit – “We remember” – “Edhe ne kujtojmë bashkë me kombin e Izraelit”
Posted on 26/01/2021

27 janar, në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005, përkujtohen viktimat e Holokaustit. Kjo datë përkon me çlirimin të kampit nazist të përqendrimit Auschwitz-Birkenau më 27 janar 1945.

Fjala ‘holokaust ‘ vjen nga greqishtja e lashtë dhe do të thotë sakrificë. Para Luftës së Dytë Botërore, ky term përdorej për të përshkruar vdekjen e një grupi të madh njerëzish. Nga viti 1945 është bërë sinonim i përndjekjes sistematike të hebrenjve evropianë dhe vrasjeve të 6 milionë prej tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga nazistët dhe aleatët e tyre, që nga viti 1933 deri 1945. Hebrenjtë i referohen ngjarjes me fjalën ‘shoah‘ që do të thotë ‘katastrofë’.

Roli i shqiptarëve ndaj përndjekjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është i njohur në të gjithë botën. Megjithatë historia e shqiptare me hebrenjtë nis mijëra vite më parë, me valë të ndryshme të vendosjes së tyre në trojet tona.

Në një intervistë të realizuar me mësuesin e Historisë, Arben Myrto, drejtor i shkollës “10 korriku” në Lushnje mësojmë se në fakt ardhja e parë e hebrenjve dëshmohet gjatë shekullit I para erës sonë, kur hebrenjtë dërgoheshin si robër në Romë. Burime të tjera përmendin se hebrenjtë u vendosën në tokat Ilire së bashku me ngulimet Helene në Sarandë dhe Orikum. Pretendohet se numri i tyre në atë kohë arrinte në 3000 banorë.

Një valë e rëndësishme e ardhjes së hebrenjve në vendin tonë është dëbimi i tyre nga Spanja që nisi në vitin 1492. Ata u vendosën në zona të ndryshme, por më së shumti në Berat, Elbasan, Vlorë, Durrës dhe Korçë, duke u integruar në jetën ekonomike, politike, por dhe në martesa e miqësi me vendasit. Hebrenjtë në Shqipëri u shquan për veprimtaritë e tyre tregtare me Raguzën, Sicilinë dhe Selanikun. Gjithashtu, ata ishin të lirë të ushtronin besimin e tyre, ngritën sinagoga gjurmët e të cilave vinë deri në shekullin XIX. Megjithatë ata lëvizën nga territoret tona në kërkim të kushteve më të përshtatshme të jetesës, ndihmuar dhe nga zotërimi i zanateve, tregtisë dhe arritjeve në fusha të tjera si shkencë, art, etj. Lidhur me arsimimin e tyre, hebrenjtë kanë marrë jo më shumë se arsimin fillor në Shqipëri, në shkolla fetare si fillim dhe më vonë laike.

Numri i hebrenjve të ardhur nga shtetet e tjera ballkanase dhe evropiane gjatë Luftës së Dytë ishte rreth 2000 persona, ndërkohë në Shqipëri asokohe banonin rreth 200 banorë hebrenj. Shqiptarët nuk i dorëzuan hebrenjtë, por i ofruan atyre strehim dhe mbrojtje. Ata i fshehën hebrenjtë në bodrume, në objekte kulti, në pyje dhe disa i “maskuan” si të sëmurë rëndë. Shumë hebrenj u përfshinë në formacione ushtararake me shqiptarët apo me popujt fqinje kundër nazifashistëve. Ata jetuan në Shqipëri deri në krijimin e shtetit të Izraelit pas Luftës së Dytë Botërore.

Rëndësia përkujtimore e Holokaustit, mbetet e njëjtë, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se 7 dekada. Për shkak të ndjeshmërisë që çështja ka, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave duhet të kenë një qasje të mirëmenduar. Studimi i Holokaustit ndihmon në qartësimin e koncepteve si demokracia, të drejtat njerëzore, diktatura, propaganda, rezistenca, gjenocidi, ksenofobia, racizmi etj, duke nxitur ndërgjegjësim dhe reflektim . Të mësuarit rreth Holokaustit në shkollë iu zhvillon nxënësve mendimin kritik rreth ngjarjes dhe ul rrezikun e marrjes së informacionit nga burime të pasigurta.

Mësuesi i historisë thekson gjithashtu se është e rëndësishme të mbahet parasysh mosha e nxënësve për gjuhën dhe materialet e përdorura. Për ata që janë më të vegjël mund ti jepet fokus rasteve të shpëtimit dhe personave që ofruan ndihmë. Ndërsa për më të rriturit mund të prezantohen me fakte më sfiduese. Shkollat mund të organizojnë aktivitete si; konkurse për projekte, ese dhe albume, takime me profesorë të fushës, dëshmi nga familje që mund të kenë ndihmuar apo njohur hebrenj. Shkollat kanë mundësinë të përkujtojnë vlerat e tolerancës, miqësisë dhe ndihmës që tregoi populli shqiptar ndaj hebrenjve.

“Drejtuesit e shkollave mund të ofrojnë më tepër nxitje për përkujtimin e Holokaustit. Njohja me kontributin e popullit tonë për mbrojtjen e popullit hebre, kontributin e Izraelit në zhvillimin e Shqipërisë dhe marrëdhëniet diplomatike e miqësore midis dy vendeve i shërbejnë qëllimit të edukimit të brezave që besojnë në liri dhe të drejta.” – thotë mësuesi i Historisë, Arben Myrto.

Shkolla e Drejtorëve, ka partneritete tepër të afërta me disa qendra në Izrael të fokusuara në Lidershipin (Udhëheqjen) në Arsim, siç është Avney Rosha Institute. Gjithashtu, stafe të Shkollës së Drejtorëve kanë studiuar në universitetet më me emër në Izrael siç është Universiteti i Haifas. Ndaj tregon dhe një përkujdesje edhe më të madhe për Kombin e Izraelit, e veçanërisht për Zonjën Yehudit Shalvi dhe stafin e qendrës që ajo drejton; Zotin Yakkov Gutterman; Pedagogë e trajnerë nga Kolegjin e Edukimit Oranim e Universiteti i Haifas.

Ne nuk harrojmë, kujtojmë dhe duhet të punojmë që kjo ngjarje të mos përsëritet më!

__________________________________________________________________________________

Por mbi të gjitha dhe në themel të bisedës së ngrohtë, por edhe të afërsisë, që Presidenti shfaqte ndaj ambasadorit të parë të Shqipërisë në Izrael, qëndronte kujtimi dhe nderimi, që ai i bënte popullit shqiptar, për ndihmën dhe solidaritetin, që kishte treguar ndaj hebrenjve, që banonin në Shqipëri, si një rast i vetëm në botë, ku asnjë hebre nuk u dorëzua te gjermanët.” – Dashnor Dervishi, Ish Ambasador i Shqipërisë në Izrael, intervistë për Izraeli sot.

 

 

Përgatitën:

Alesia Makaj MSc (c), Intern R&D, Shkolla e Drejtorëve

Arben Myrto, Mësues Historie, Drejtor, Shkolla “10 korriku” Lushnje

Sonila Dubare MA, MSPH, Menaxhere për Hulumtim dhe Zhvillim, Shkolla e Drejtorëve

 

Referencat:

https://www.annefrank.org/en/anne-frank/go-in-depth/what-is-the-holocaust/

https://en.unesco.org/commemorations/holocaustremembranceday

https://www.southwales.ac.uk/courses/ba-hons-history/870/why-should-we-still-study-the-holocaust/

https://en.unesco.org/news/importance-teaching-and-learning-about-holocaust

https://holocaustremembrance.com/resources/educational-materials/how-teach-about-holocaust-schools

https://www.holocaustremembrance.com/resources/educational-materials/why-teach-about-holocaust

https://museeholocauste.ca/en/resources-training/why-teach-history-holocaust-how/

https://en.wikipedia.org/wiki/History_of_the_Jews_in_Albania

https://sq.wikipedia.org/wiki/Holokausti_n%C3%AB_Shqip%C3%ABri

https://www.izraelisot.com/2020/08/21/ambasadori-dashnor-dervishi-si-u-vendosen-marredheniet-me-izraelin-ne-1991/

https://www.kultplus.com/trashegimia/besa-shqiptare-rregulli-arte-dhe-shpetimi-hebrenjve/