Drejt një Sistemi të Reformuar të Inspektimit të Shkollës dhe Standardeve për Inspektorët e Shkollave në Shqipëri

Më 28 maj në ambjentet e Shkolles se Drejtoreve te IAP u mbajt seminari me temën: “Drejt një sistemi të reformuar të inspektimit të shkollës dhe standardeve për inspektorët e shkollave në Shqipëri”

Në seminar ishin te pranishëm 20 pjesëmarrës nga Instituti për Zhvillimin e Arsimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, zyrtarët e qarkut, inspektorët e shkollave, drejtorët e shkollave dhe stafi i AADF. Seminari u drejtua nga konsulenti ndërkombëtar Anthony John Richardson, me përvojë të gjerë në udhëheqjen arsimore. Angazhimet e tij të fundit përfshijnë konsulencë për udhëheqjen arsimore në Kolegjin Universitar të Londrës (UCL), Instituti i Arsimit dhe si Drejtor i Asociuar i Arsimit në Kolegjin Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar për Mësimdhënien dhe Lidershipin, në departamentin e biznesit ndërkombëtar.

Seminari u organizua në dy sesione:

1) Sesioni i parë adresoi pyetjet mbi situatën aktuale të sistemit dhe standardeve të inspektimit në Shqipëri; pikat e forta dhe te dobëta; mënyrat e matjes së performancës dhe njohuritë / aftësitë e kërkuara për të qënë inspektor i shkëlqyer; përkrahjen dhe zhvillimin e inspektorëve të shkollave me qëllim përmirësimin e cilësisë së shkollave dhe të sistemit në përgjithësi

2) Bazuar në diskutimet e sesionit të parë, sesioni i dytë synonte të zhvillonte rekomandime për: a) hartimin e standardeve të punës për inspektoratin; b) kornizën udhëzuese për inspektimin e shkollës dhe c) planin e zbatimit i cili do të përfshijë propozime për zhvillimin profesional të inspektoratit.

 

Diskutimet aktive dhe opinionet e të gjithë pjesëmarrësve në seminar ndihmuan në vlerësimin e situatës aktuale të sistemit dhe standardeve të inspektimit si dhe kontribuan në zhvillimin e rekomandimeve për standardet e reja dhe zbatimin e tyre.

 

Ky seminar pasoi takimet e z. Richardson me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve; Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar; Fondit Shqiptaro Amerikan te Zhvillimit si dhe takime me drejtorët e shkollave Ali Demi dhe Ismail Qemali të Tiranës për të diskutuar mbi çështjet e lidershipit dhe standardet e drejtorit.