Ceremonia e Certifikimit të Brezit të Dytë të Programit të Trajnimit për Arsimin Parashkollor
Posted on 09/07/2026

Më 1 korrik 2026, Shkolla e Drejtorëve organizoi ceremoninë e certifikimit të Brezit të Dytë të Programit të Trajnimit të Detyrueshëm për drejtuesit e institucioneve të arsimit parashkollor, duke shënuar përfundimin me sukses të një tjetër cikli të rëndësishëm të zhvillimit profesional në këtë sektor.

Në ceremoni morën pjesë Ministrja e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, Kryetarja në detyrë e Bashkisë Tiranë, znj. Anuela Ristani, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, anëtarë të Bordit të Shkollës së Drejtorëve, trupa e trajnerëve dhe partnerë institucionalë të Shkollës së Drejtorëve.

Programi, i zhvilluar gjatë periudhës 17 tetor 2025 – 4 prill 2026, u përfundua me sukses nga 74 drejtues dhe kandidatë për drejtues të institucioneve parashkollore nga e gjithë Shqipëria. Gjatë këtij procesi, pjesëmarrësit zhvilluan 54 projekte praktike në institucionet ku ushtrojnë detyrën, duke adresuar nevoja konkrete dhe duke kontribuar në përmirësimin e praktikave të drejtimit, organizimit të institucionit, bashkëpunimit me komunitetin dhe cilësisë së procesit edukativ.

Ceremonia shërbeu jo vetëm si një moment vlerësimi për angazhimin dhe arritjet e pjesëmarrësve, por edhe si një mundësi për të evidentuar rëndësinë e investimit në zhvillimin profesional të drejtuesve të arsimit parashkollor. Përvojat e fituara dhe projektet e realizuara gjatë programit dëshmojnë se forcimi i kapaciteteve drejtuese ka një ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e mjediseve më cilësore, gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse për zhvillimin e fëmijëve.

Interesi në rritje për Programin e Trajnimit të Detyrueshëm dhe rezultatet e arritura nga brezi i dytë konfirmojnë rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin e një lidershipi profesional dhe të qëndrueshëm në arsimin parashkollor. Certifikimi i këtij brezi përfaqëson një tjetër hap drejt konsolidimit të një kulture të re drejtimi, ku zhvillimi profesional, reflektimi mbi praktikën dhe përmirësimi i vazhdueshëm janë elementë thelbësorë për rritjen e cilësisë së shërbimeve arsimore që u ofrohen fëmijëve.