Certifikohen 96 pjesëmarrësit e brezit të parë të Rrjetit Kombëtar të Vlerësuesve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar
Posted on 05/05/2022
Në kuadër të projektit “Krijimi i Rrjetit Kombëtar të Vlerësuesve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” i cili po zbatohet nga Agjencia për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) me mbështetjen e Qendrës “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL) përmes financimit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ( AADF) , u zhvillua sot më datë 06.05.20202, në ambientet e shkollës “Servete Maci” -Tiranë:
Ceremonia e Certifikimit të 96 pjesëmarrësve që përfunduan me sukses programin e trajnimit dhe testimin final.
Rrjeti Kombëtar i Vlerësuesve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar synon realizimin e një programi të qëndrueshëm trajnimi që do të bënte të mundur krijimin e një rrjeti kombëtar prej 400 vlerësuesish të jashtëm të institucioneve të arsimit parauniversitar në përbërje të të cilit do të jenë specialist të vlerësimit të DRAP( Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar) dhe ZVAP ( Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar) në të gjithë Shqipërinë si edhe drejtues shkollash që janë certifikuar nga Programi i Trajnimit të Detyrueshëm ( CTP) përgatitur pranë Qendrës “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL).
Në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave të trajnimit ishte e pranishme edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, zj.Evis Kushi e cila në fjalën e saj nënvizoi “Rëndësinë e procesit të vlerësimit periodik të brendshëm dhe të jashtëm të institucioneve arsimore parauniversitare si një hallkë e rëndësishme për të rritur cilësinë e shkollës në të gjitha drejtimet”
Gjatë aktivitetit u certifikuan 96 pjesëmarrësit e parë të cilët janë specialistë të vlerësimit në institucionet përgjegjëse vlerësuese dhe drejtues shkollash të certifikuar nga Shkolla e Drejtorëve.
Pjesëmarrësit e brezit të parë që ndoqën këtë program trajnimi për 170 orë gjatë periudhës Janar-Mars 2022 ishin nga ZVAP-të Durrës, Lezhë, Tiranë, Rrogozhinë, Peqin, Kavajë, Vorë, Shijak, Kurbin dhe Mirditë.
z. Geron Kamberi, Drejtori Ekzekutiv i Qendra “Shkolla e Drejtorëve të IAP” theksoi se “Përmes zbatimit të këtyre projekteve, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, synojmë rritjen dhe fuqizimin e aktorëve kyç në fushën e drejtimit, vlerësimit dhe cilësisë së shkollës e mësimdhënies, për të pasur një institucion arsimor të denjë që do të jetë në gjendje të përballojë me sukses sfidat e sotme dhe të së ardhmes”.