“Njerëzit me autizëm mund të mos jenë në gjendje të flasin ose t’i përgjigjen emrit të tyre, por ata përsëri mund t’i dëgjojnë fjalët tuaja dhe të ndiejnë mirësinë tuaj”. Ata duhet të pranohen, kuptohen dhe duhen sepse autizmi nuk është paaftësi, është një aftësi tjetër. -Stuart Duncan
Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2007, më tepër si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm. Kjo ditë është vendosur në 2 Prill dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm. Vlerësohet se 1% e popullatës globale është autike.
Shumë prindër dhe mësues kanë pyetje lidhur me autizmin dhe edukimin. Krijimi i një mjedisi që është i favorshëm për të mësuarin, duhet të trajtohet mbi baza individuale, por shumë teknika udhëzuese standarde zbatohen për një numër të ndryshëm fëmijësh. Nga strategjitë e të mësuarit për fëmijët me autizëm në shumë raste mund të përfitojë e gjithë klasa.
Shumë fëmijë të spektrit të autizmit kanë një inteligjencë mbi mesataren, janë individë unikë dhe meritojnë mbështetje të individualizuar. Ata duhet të jenë të sigurt, të mbështetur dhe të gatshëm për të mësuar. Aftësia për të kuptuar informacionin mund të mos mungojë por nxënësit mund t’i mungojë aftësia për të komunikuar që ai i kupton ato koncepte.
Mënyra e të mësuarit është një faktor që duhet konsideruar dhe ndërkohë që shumë nxënës të këtij spektri mund të priren për të mësuar në mënyrë vizuale, disa mund të mësojnë duke vepruar (nxënës kinetikë).
Një aspekt kritik për tu konsideruar gjatë të mësuarit të një nxënësi me autizëm është sfida me përpunimin e informacionit. Çdo i ri që i përket spektrit të autizmit ka nevoja të ndryshme dhe nuk ka një politikë të përshtatshme për të gjithë për t’i ndihmuar.
Megjithatë janë disa gjëra bazike që drejtuesit e shkollave mund të konsiderojnë në planin strategjik dhe vizionin e shkollës së tyre për të mundësuar një gjithë përfshirje në shkollë për fëmijët në spektrin e autizmit duke patur parasysh edhe Standardet Shqiptare për Drejtimin e Shkollës. Drejtuesit mund të konsiderojnë dhe adresojnë në planin afatmesëm dhe afatgjatë të shkollës, fushat si drejtimi i partneriteteve me prindërit dhe komunitetin e gjerë dhe drejtimi i ndryshimeve transformuese në kuadrin e kontekstit ligjor të Shqipërisë që kanë të bëjnë me mbështetjen për nxënësit, mbrojtjen e të drejtave të fëmijës dhe sjelljen etike dhe me integritet.
Gjithashtu mësuesit nga ana tjetër mund t’a bëjnë kohën e tyre në shkollë të kalojë normalisht duke patur parasysh disa këshilla nga burimi i pavarur i lajmeve dhe pikëpamjeve ‘’Conversation’’:
- Siguroni një strehë, një ‘ambient familjar’
Një strehëz është një vend në shkollë ku nxënësi mund të shkojë për të planifikuar ose rishikuar ngjarjet e ditës, për t’i shpëtuar stresit të klasës, për të parandaluar një zemërim të momentit ose për të rimarrë kontrollin nëse diçka e tillë ka ndodhur. Vendndodhja nuk është e rëndësishme, por është thelbësore që ky ambient të shihet si një mjedis pozitiv. Nuk është një kënd dënimi për sjelljet e këqija.
- Minimizoni përdorimin e shkrimit të dorës
Shumë nxënës me autizëm kanë vështirësi me shkrimin e dorës, si edhe me dëgjim dhe shkrim në të njëjtën kohë, për shkak të problemeve motorike. Nëse shkrimi është problematik për studentin, mos i detyroni ta bëjnë. Nëse vetë shkrimi i dorës nuk është ai që po testohet, duhet të përdoret një mënyrë tjetër.
- Organizohuni
Mungesa e organizimit shpesh i ndalon nxënësit me funksionalitet të lartë të autizmit të demonstrojnë aftësinë e tyre të plotë. Nuk është e pazakontë të dëgjosh për studentë që kanë përfunduar një detyrë, por nuk ishin në gjendje ta gjenin atë për ta dorëzuar në kohë.
- Krijoni një program që funksionon për ta
Kjo kërkon krijimin e një ekuilibri midis asaj që ata kanë për të arritur nga ana akademike dhe niveleve të tyre të stresit dhe ankthit. Programet duhet të kenë një strukturë të parashikueshme për të shmangur ankthin për diçka që nxënësi nuk është i përgatitur dhe kështu që nxënësit e dinë se mund të arrijnë atë që mësuesi dhe prindërit e tyre presin që ata të bëjnë.
- Jepuni fëmijëve një arsye për të ardhur në shkollë
Mësuesit duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha për ta bërë shkollën të përshtatshme për nxënësit me funksionim të lartë të autizmit, pasi ata mendojnë ndryshe nga shumica e fëmijëve të tjerë. Përfshirja e interesave të veçanta në kurrikulë shpesh është thelbësore për këta fëmijë që dëshirojnë të ndjekin shkollën, të angazhohen dhe të marrin pjesë. Fëmijët me funksionalitet të lartë të autizmit shpesh zhvillojnë interesa të veçanta që bëhen shumë më shumë sesa një hobi, por një mënyrë jetese, kështu që kjo është një mënyrë të shkëlqyer për t’i bërë ata të interesuar për shkollën. Përqendrimi në pikat e forta dhe interesat e një studenti mund të rrisë besimin dhe angazhimin, veçanërisht kur nxënësi ka fusha apo aftësi të tjera që duhet të adresohen.
Nxënësit gradualisht duhet të mësohen të marrin përgjegjësinë për të kërkuar dhe monitoruar gjërat që u nevojiten për t’u përgatitur për moshën e rritur. Nga këtu ata në fund të fundit do të jenë përgjegjës për strukturimin e mjedisit të tyre për t’ia dalë mbanë.
Njihuni me Blerina Lala, alumni i Programit të Detyrueshëm Përgatitor për Drejtuesit e IAPU, në shkollën e Drejtorëve, nga brezi i parë. Ajo ka një mesazh si mësuese prej disa vitesh, nëndrejtoreshë e shkollës ‘’ Myslym Keta’’, njëkohësisht edhe si një prind dhe i një fëmije me autizëm:
” Të gjithë sot flasim për gjithë përfshirje në arsim, tregojmë 2-3 raste (madje mburremi se i quajmë raste suksesi) dalin disa prindër e tregojnë historitë e tyre, sa të ndryshme në formë, aq të ngjashme në përmbajtje, (unë ndër të parët prindër, që bëra publike historinë e bashkëjetesës së tim biri me autizmin), por harrojmë se kategoria e fëmijëve dhe të rinjve me autizëm, kërkon shumë e më shumë se kaq.
Le ta nisim nga vetja!
Çdo mësues, duhet ta kuptojë se para se të japë njohuri shkencore, duhet t’i aftësojë nxënësit e tij/saj për atë çka ata bëjnë ose jo. T’i bëjë nxënësit të ndjehen sa më mirë në klasë e mbi të gjitha të fali shumë dashuri.
Kjo është arma më e fortë për të qenë pranë këtyre individëve, me kaq shumë nevoja, por dhe me shumë kënaqësi.
Të ndërgjegjësohemi, për të zbutur sadopak dhimbjen e një nëne, për të buzëqeshur sadopak fytyrën e saj e për ta bërë ta kuptojë: Ti nuk je vetëm! Djali/ Vajza yt/jote nuk është vetëm!
Të gjithë ne le të jemi bashkë, sepse këta individë me autizëm na mësojnë si të jemi më të mirë, më të sinqertë e mbi të gjitha më humanë!
Autizmi i tyre le të jetë pasqyra ku çdo anëtar i komunitetit të arsimit të shohë vetveten e të analizojë atë!
Përgatitën:
Daniela Bardhaj, Intern R&D, Shkolla e Drejtorëve
Sonila Dubare, Menaxhere për Hulumtim dhe Zhvillim, Shkolla e Drejtorëve
Blerina Lala, Nën-drejtoreshë e shkollës “Myslym Keta”, Pjesëmarrëse e Programit të Trajnimit të Detyrueshëm për Drejtuesit e IAP, Brezi i Parë, Shkolla e Drejtorëve.
Referenca:
- https://www.geckoandfly.com/32857/autism-autistic-quotes/
- https://www.google.com/url?sa=i&url=https%3A%2F%2Fwww.autismspeaks.org%2Fworld-autism-awareness-day&psig=AOvVaw18soTINOFoRrUIL959yFSi&ust=1617102404851000&source=images&cd=vfe&ved=0CA0QjhxqFwoTCMDS36iv1e8CFQAAAAAdAAAAABAD
- https://www.google.com/amp/s/theconversation.com/amp/autism-at-school-how-teachers-can-help-24528
- https://autism.lovetoknow.com/Category:Autism_and_Education
- https://drive.google.com/file/d/1pS1X3jWIai0F3GgpQlFb9xjDlfrInwjp/view?usp=sharing