“Arsimi është arma më e fuqishme që mund të përdoret për të ndryshuar botën”
Nelson Mandela
24 Janari njihet në të gjithë botën si Dita Ndërkombëtare e Arsimit, e cila u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB më 3 Dhjetor 2018 në sajë të rolit të rëndësishëm që edukimi nëpërmjet arsimit luan në paqen e përgjithshme dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.
Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL- Center for School Leadership) mbështet Shqipërinë në arritjen e objektivave të saj në fushën e arsimit, në përputhje me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, ku deri në vitin 2030 synon që:
- Të gjithë fëmijët të përfundojnë arsimin fillor dhe të mesëm pa pagesë, të barabartë dhe cilësor, duke çuar në rezultate relevante dhe efektive të të nxënit;
- Të gjithë fëmijët të kenë qasje në arsimin parashkollor për të pasur një zhvillim sa më të hershëm, në mënyrë që ata të jenë gati për arsimin fillor;
- Sigurimi i qasjes së barabartë për të gjitha femrat dhe meshkujt në arsim të përballueshëm dhe cilësor teknik, profesional dhe të lartë, duke përfshirë universitetin;
- Eliminimi i pabarazive gjinore në arsim dhe sigurimi i qasjes së barabartë në të gjitha nivelet e arsimit dhe formimit profesional.
Tema e përzgjedhur nga OKB për këtë vit është: “Rikuperimi dhe rigjallërimi i arsimit për gjeneratën e COVID-19”, çështje kaq e rëndësishme që na shoqëroi përgjatë gjithë vitit 2020 dhe vazhdon ende në 2021.
Pandemia solli shumë ndryshime në fushën e arsimit, ku për shkak të situatës u bë e domosdoshme një përshtatje e procesit mësimor, duke filluar që nga mësimi online disa muaj më parë e deri më sot, te klasat me numër të reduktuar nxënësish, sipas udhëzimeve nga Ministria e Arsimit.
Aksesi në arsim cilësor pavarësisht sfidave, është një e drejtë themelore e çdo individi dhe Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar”, nëpërmjet Programit të Zhvillimit Profesional të Vazhdueshëm (CPD), i ka ardhur në ndihmë stafit mësimor me 19 trajnime për rreth 2400 mësues e drejtues të 390 shkollave në të gjithë Shqipërinë. Stafet e shkollave janë prezantuar me një mori platformash si Edmodo, Google Clasroom, Zoom dhe mjetesh si Padlet, Mentimeter, Easypoll, Answergarden, për të mundësuar një proces sa më efektiv të mësimit online.
Pavarësisht vështirësive të shumta, kjo situatë shihet edhe me një këndvështrim pozitiv prej stafeve mësimore. “Pandemia na solli më afër me epokën e digjitalizimit, ku fëmijët po orientohen drejt kërkimit të informacionit, bëhen krijues dhe novatore për interesat e tyre me ndihmën e teknologjisë.”- thotë Blerina Kosta, pjesëmarrëse e Brezit të parë në Trajnimin e Shkollës se Drejtorëve për Drejtuesit e IAP.
Sonila Dubare, Menaxhere për Hulumtim dhe Zhvillim
Loreda Meta, Intern Shkolla e Drejtorëve
Blerina Kosta, Drejtoreshë e shkollës “Mihal Grameno”, Pjesëmarrëse e Programit të Trajnimit të Detyrueshëm për Drejtuesit e IAP, Brezi i Parë, Shkolla e Drejtorëve.
Referenca:
https://en.wikipedia.org/wiki/International_Day_of_Education