Më datë 4 Nëntor 2022, Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL), filloi Brezin e V të Programit të Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor (CTP) për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar për rreth 290 pjesëmarrës nga 43 Zyra Vendore Arsimore në gjithë Shqipërinë.
Ky numër pjesmarrësish në program është 5 herë më i lartë se pjesmarrësit në brezin e parë.
Në aktivitetin e organizuar për lancimin e Brezit të pestë ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi, bashkë-drejtorët e Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, Z. Mata dhe Z. Sarapuli, universitetet partnere dhe trupa e trajnerëve, që ofrojnë programin e trajnimit, bashkëpunëtorë dhe Alumni të CSL.
Në këtë brez, Programi i Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) do të ofrohet, për herë të parë, edhe në qytetin e Shkodrës e Korçës përmes bashkëpunimit me Universitetin “Luigj Gurakuqi” – Shkodër dhe Universitetin “Fan Noli” – Korçë.
Zgjerimi i Programit të Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) të Qendrës “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL), nuk është vetëm në terma gjeografikë, por edhe përsa i përket përmirësimit të aspekteve të strukturës e menaxhimit.
Zj. Kushi theksoi se numri i lartë i aplikimeve për këtë program trajnimi sidomos nga mësues, por edhe interesi i lartë nga drejtues me përvojë tregon se fryma e re, që po sjell zbatimi i këtij programi dhe rritja e kapaciteteve për një kohë të shkurtër ka gjetur balancën e duhur midis cilësisë dhe sasisë.
Së bashku me fillimin e Brezit të V, Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL), ofron Bibliotekën Digjitale, një mjet të ri dhe burim i pasur informacioni në ndihmë të pjesëmarrësve e trajnerëve.
Nga ana jonë përcjellim dëshirën e përbashkët që Brezi i V, të nisë e të përmbyllë me sukses këtë aspekt të formimit të tyre profesional për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar.