Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL) dhe Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) kanë nënshkruar në datë 12 Nëntor 2021 një Marrëveshje Bashkëpunimi për “Krijimin e Rrjetit të Vlerësuesve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar (IAP)”.
Rrjeti i vlerësuesve të IAP do të ketë një rol thelbësor në arsim, ku pjesë e përgjegjësisë së tyre do të jetë vlerësimi i institucioneve të arsimit parauniversitar në Republikën e Shqipërisë.
Kjo marrëveshje përfshin përzgjedhjen dhe trajnimin e këtij rrjeti vlerësuesish. Pas procesit të përzgjedhjes, vlerësuesit do të përfshihen në një program trajnimi 4 mujor dhe më pas do të bëhet certifikimi i tyre si vlerësues të IAP-ve.
Shkolla e Drejtorëve të IAP dhe ASCAP kanë hapur thirrjen për aplikime për ata të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e rrjetit të vlerësuesve.
Ftohen të aplikojnë drejtorët e shkollave nga ZVA-të Fier, Vlorë-Himarë, Lushnjë, Divjakë, Mallakastër, Roskovec, Patos, Selenicë, Tepelenë-Memaliaj, Finiq- Dropull, Gjirokastër-Libohovë, Përmet-Këlcyrë, Sarandë-Delvinë-Konispol.
Nëse i përmbushni kriteret e thirrjes dhe jeni i interesuar që të jeni pjesë e këtij rrjeti, ju ftojmë të aplikoni sipas udhëzimeve të shpallura në këtë thirrje.
DRAP-et dhe ZVAP-të e tjera do të njoftohen të aplikojnë për fazat trajnuese në vijim.