Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucionve të Arsimit Parauniversitar” (CSL) në bashkëpunim me Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) po zbatojnë projektin e përbashkët “Krijimi i rrjetit të vlerësuesve të IAP”.
Në Shqipëri numri i vlerësuesve të jashtëm është i kufizuar, në raport me numrin e përgjithshëm të institucioneve të arsimit parauniversitar (38 vlerësues të mirëfilltë në ASCAP dhe DPAP/DRAP për 3,829 IAP), duke mundësuar vlerësimin e një numri shumë të vogël të IAP-ve, në krahasim me referencat evropiane (vlerësimi i plotë kryhet mesatarisht 1 herë në 3-4 vite).
Për këtë arsye, lindi e domosdoshme krijimi i rrjetit të vlerësuesve të jashtëm të institucioneve arsimore parauniversitare në nivel kombëtar, të licencuar, të cilët do t’u vijnë në ndihmë institucioneve vlerësuese, duke i përfshirë në grupet e punës për vlerësimin e IAP-ve.
Duke synuar rritjen e cilësisë së vlerësimit, vitin e kaluar, Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL) dhe Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) kanë përpiluar Standardet Profesionale të Vlerësuesve të Institucioneve Arsimore Parauniversitare me ekspertizën e ekspertit britanik z. Tony Richardson.
Ky dokument përfaqëson një nga dokumentet themelore të politikës vlerësuese që do të implementohet në këtë projekt, parakusht për vlerësime/inspektime profesionalisht të drejta dhe të besueshme, për të garantuar vlerësimin real të cilësisë së institucionit arsimor parauniversitar në veçanti dhe të sistemit arsimor në tërësi. Dokumenti i Standardeve Profesionale të Vlerësuesve të institucioneve arsimore parauniversitare, unifikon profesionin e vlerësuesit në shkallë kombëtare dhe përcakton se çfarë duhet të dijë, duhet të kuptojë dhe duhet të bëjë një vlerësues efektiv
Projekti “Krijimi i rrjetit të vlerësuesve të IAP” është parashikuar të realizohet për një periudhë kohore 2-vjeçare dhe do të trajnojë e certifikojë 400-të vlerësues përkatësisht:
Specialistë të vlerësimit/inspektimit në institucionet përgjegjëse vlerësuese dhe drejtues shkollash të certifikuar nga Shkolla e Drejtorëve.
Kandidatët për vlerësues do të trajnohen si kapacitete potenciale vlerësuese (në nivel qendror, rajonal/lokal) për vlerësimin e institucioneve arsimore parauniversitare.
Gjatë periudhës Janar-Mars po trajnohen 100 vlerësuesit e parë të IAP nga ZVAP-të Durrës, Lezhë, Tiranë, Rrogozhinë, Peqin, Kavajë, Vorë, Shijak, Kurbin dhe Mirditë.
Ndërkohë, në fazat e tjera do të vijojë trajnimi edhe për vlerësues nga ZVAP-të e tjera.