Shkolla e Drejtorëve të IAP, në bashkëpunim me Universitetin Marin Barleti, organizuan më 5 dhjetor 2019, një konferencë mbi Rolin e drejtuesit për rritjen e cilësisë së të nxënit.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin drejtues dhe mësues të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nga qytete të ndryshme të vendit, të cilët u njohën nga afër me përmbajtjen e standardeve profesionale për formimin e drejtuesve të IAP.
Dimensionet, njohuritë e nevojshme, aftësitë personale dhe profesionale dhe treguesit që duhet të ketë dhe të njohë një drejtues, ishte një ndër temat kryesore të trajtuara në konferencë, nga eksperti ndërkombëtar z. Anthony Richardson, Konsulent për arsimin pranë “University College London” (UCL) në Institutin e Edukimit në Britaninë e Madhe. Z. Richardson, përmes një prezantimi dinamik dhe disa rasteve ushtrimore të trajtuara në grup, mundi t’iu shpjegonte të pranishmëve përmbajtjen e standardeve profesionale për formimin e drejtuesve të IAP, duke identifikuar nevojat që ata kanë për zhvillim profesional bazuar në Standarde,dhe lidhjen midis kritereve të standardeve me punën e drejtuesit për përmirësimin e cilësisë të të nxënit.
Znj. Doriana Matraku, drejtoreshë ekzekutive e Shkollës së Drejtorëve të IAP, bëri një prezantim të detajuar mbi mundësitë që ofron Shkolla e Drejtorëve të IAP për trajnimin e drejtuesve aktualë dhe kandidatëve për drejtues nëpërmjet programit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor për certifikim për drejtues dhe programeve të trajnimit të vazhduar profesional.
Konferenca u përshëndet dhe nga znj. Jonida Lamaj, Menaxhere e Projekteve të Edukimit në Fondacionin Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe përfaqësues të Universitetit Marin Barleti.