Më 17 tetor 2025, Shkolla e Drejtorëve nisi brezin e dytë të Programit të Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për Arsimin Parashkollor, i cili synon zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale të drejtuesve dhe mësuesve në këtë fushë.
Këtë vit, në program marrin pjesë 80 drejtuese dhe mësuese nga 31 bashki të vendit. Nga këta, 43 janë aktualisht në rolin e drejtuesit të kopshtit, ndërsa 37 janë mësuese që aspirojnë të bëhen drejtorë.
Programi ka një kohëzgjatje prej 20 javësh, me gjithsej 310 orë teori dhe praktikë, dhe është akredituar nga Komisioni i Akreditimit me 210 kredite, duke e renditur ndër programet më të plota të formimit profesional në fushën e drejtimit të arsimit parashkollor.
Pas certifikimit me sukses të brezit të parë, me 64 pjesëmarrës, programi është zgjeruar këtë vit në 80 pjesëmarrës të rinj, të organizuar në tre grupe trajnimi.
Zgjerimi i programit synon t’u ofrojë më shumë profesionistëve të arsimit parashkollor mundësi për zhvillim të strukturuar profesional dhe përmirësim të praktikave drejtuese në këtë fushë.
Zbatimi i programit mbështetet nga një grup ekspertësh të arsimit parashkollor, të cilët ofrojnë mbështetje profesionale në procesin e mësimdhënies, zhvillimit të praktikës dhe vlerësimit të pjesëmarrësve.
Shkolla e Drejtorëve do të vijojë të mbështesë konsolidimin e këtij programi si një model referimi për zhvillimin profesional të drejtuesve të arsimit parashkollor dhe për forcimin e standardeve të cilësisë në këtë nivel arsimor.