Nisin dy breza të rinj të Programeve të Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për Certifikim
Posted on 09/11/2026

Shkolla e Drejtorëve vijon angazhimin për zhvillimin profesional të drejtuesve në arsimin parauniversitar, me nisjen e dy brezave të rinj të Programeve të Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor, të cilat përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt certifikimit të drejtuesve të institucioneve arsimore.

Në këtë fazë të re të trajnimit kanë nisur rrugëtimin profesional:

  • Brezi IX i Programit CTP për drejtuesit e shkollave, me 270 pjesëmarrës.
  • Brezi III i Programit CTP për drejtuesit e institucioneve të arsimit parashkollor, me 113 pjesëmarrës, të përfaqësuar nga 24 Zyra Vendore të Arsimit Parauniversitar.

Përmes këtyre programeve, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të zgjerojnë njohuritë dhe të forcojnë kompetencat profesionale në drejtimin dhe menaxhimin e institucioneve arsimore. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zhvillimit të aftësive për udhëheqjen e ekipeve, marrjen e vendimeve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të praktikave institucionale.

Me nisjen e këtyre dy brezave, numri i pjesëmarrësve që kanë ndjekur me sukses programet e Shkollës së Drejtorëve arrin në 2,878 nga e gjithë Shqipëria. 

Ky tregues dëshmon për vijimësinë dhe rëndësinë e punës së Shkollës së Drejtorëve në ndërtimin e kapaciteteve drejtuese dhe në përgatitjen e profesionistëve të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të institucioneve arsimore.

Investimi në zhvillimin profesional të drejtuesve mbetet një ndër faktorët kyç për ndërtimin e institucioneve arsimore më të mirëmenaxhuara dhe për përmirësimin e cilësisë së arsimit parauniversitar në Shqipëri.