Më 28 Maj 2019, në mjediset e Shkollës së Drejtorëve të IAP u mbajt seminari me temën: “Drejt një sistemi të reformuar të inspektimit të shkollës dhe standardeve për inspektorët e shkollave në Shqipëri”.
Në seminar ishin te pranishëm pjesëmarrës nga Drejtoria e Kurrikulës dhe Inspektimit të Arsimit Parauniversitar (DKIAP), Agjensia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP), Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP), inspektorë dhe drejtues të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar. Seminari u drejtua nga konsulenti ndërkombëtar Anthony John Richardson, me përvojë të gjerë në drejtimin në arsim. Angazhimet e tij të fundit përfshijnë konsulencë për drejtimin në arsim në Institutin e Arsimit në Kolegjin Universitar të Londrës (UCL) dhe Drejtor i Asociuar i Arsimit në Kolegjin Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar për Mësimdhënien dhe Lidershipin, në departamentin e biznesit ndërkombëtar.
Seminari u organizua në dy sesione:
1) Sesioni i parë adresoi pyetjet mbi situatën aktuale të sistemit dhe standardeve të inspektimit në Shqipëri; pikat e forta dhe te dobëta; mënyrat e matjes së performancës dhe njohuritë / aftësitë e kërkuara për të qenë inspektor i shkëlqyer; përkrahjen dhe zhvillimin e inspektorëve të shkollave me qëllim përmirësimin e cilësisë së shkollave dhe të sistemit në përgjithësi.
2) Bazuar në diskutimet e sesionit të parë, sesioni i dytë synonte të zhvillonte rekomandime për: a) hartimin e standardeve të punës për inspektoratin; b) kornizën udhëzuese për inspektimin e shkollës dhe c) planin e zbatimit i cili do të përfshijë propozime për zhvillimin profesional të inspektoratit.
Diskutimet aktive dhe opinionet e të gjithë pjesëmarrësve në seminar ndihmuan në vlerësimin e situatës aktuale të sistemit dhe standardeve të inspektimit si dhe kontribuan në zhvillimin e rekomandimeve për standardet e reja dhe zbatimin e tyre.
Ky seminar pasoi takimet e z. Richardson me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve; Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar; Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, përfaqësuesit nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar si dhe takime me drejtuesit e shkollës publike 9-vjeçare “Ali Demi” dhe të shkollës së mesme publike “Ismail Qemali” në Tiranë për të diskutuar mbi çështjet e drejtimit dhe standardet e drejtuesit .