Më 1 nëntor 2025, Shkolla e Drejtorëve, në bashkëpunim me Innovation Hub dhe AI Albania, organizoi Sondazhin e Parë Deliberativ për “Matjen e Perceptimit të Përdorimit të Inteligjencës Artificiale në Arsimin Parauniversitar në Shqipëri”.
Ky aktivitet, i realizuar për herë të parë në vendin tonë sipas metodologjisë së Universitetit Stanford, përfshiu një grup prej 320 pjesëmarrësish – drejtues institucionesh, mësues dhe profesionistë të arsimit – të cilët diskutuan dhe reflektuan mbi mënyrën se si inteligjenca artificiale po ndikon në procesin e mësimdhënies dhe të të nxënit.
Sondazhi synon të ofrojë një vlerësim gjithëpërfshirës të situatës aktuale të përdorimit të inteligjencës artificiale në sistemin arsimor shqiptar, duke identifikuar sfidat, mundësitë dhe nevojat për zhvillim të mëtejshëm.
Raporti përfundimtar që do të përpilohet nga ky studim do të shërbejë si bazë për hartimin e politikave më efektive dhe të qëndrueshme për integrimin e AI në arsim, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.