Takim dy ditor për vlerësimin dhe përmirësimin e cilësisë në shkollë në Shqipëri
Posted on 23/12/2019

Në data 3-4 dhjetor 2019, Shkolla e Drejtorëve të IAP, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë, organizoi një takim dy ditor për vlerësimin dhe përmirësimin e cilësisë në shkollë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP).

Qëllimi kryesor i takimit ishte diskutimi mbi punën e bërë deri më tani nga stafi i ASCAP në përgatitjen e produkteve për vlerësimin e cilësisë në shkollë, nën kujdesin e veçantë të ekspertit ndërkombëtar z. Anthony Richardson, Konsulent për arsimin pranë “University College London” (UCL) në Institutin e Edukimit në Britaninë e Madhe.

Rreth 40 inspektorë dhe drejtues shkollash u njohën me udhëzimet metodologjike për vlerësimin e jashtëm dhe të brendshëm të shkollës, duke u ndalur specifikisht në secilin element të udhëzuesit. Të dyja ditët u shoqëruan nga diskutime të shumta, në formën e pyetje-përgjigjeve mes pjesëmarrësve dhe ekspertit ndërkombëtar, i cili solli shumë shembuj praktikë nga Anglia, për një kuptim më të mirë të procesit dhe rëndësisë që merr vlerësimi në performancën e shkollës në tërësi.

Ardhja e z. Anthony Richardson në Shqipëri bëhet e mundur falë mbështetjes së Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).