U finalizua procesi i testim certifikimit pranë Shkollës së Drejtorëve për Brezin e II-të (16 Tetor 2020-15 Korrik 2021) të pjesëmarrësve në Programin e Trajnimit të Detyrueshëm përgatitor për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar.
Posted on 15/07/2021

Brezi i II-të i pjesëmarrësve që filloi më 16 Tetor 2020 Programin e Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar, ka hyrë në fazën përfundimtare të procesit të testim certifikimit

Programi i Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar zgjati rreth 9 muaj dhe u realizua përmes një bashkëpunimi të frytshëm mes Shkollës së Drejtorëve dhe stafit të lektorëve e pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Sociale Tiranë; Fakultetit të Shkencave Sociale, Turizimit e Sportit të Universitetit “Barleti” Tiranë; Fakultetit të Edukimit të Universitetit “Aleksandër Moisu” Durrës dhe Fakultetit të Shkencave të Edukimit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan.

Nga data 14 Qershor deri më 7 Korrik 2021 pjesëmarrësit të cilët kanë ndjekur me sukses Programin e Trajnimit prezantuan Projekt Propozimet e tyre që kishin hartuar nën drejtimin e e trajnerëve individual (coach) në rastin e drejtorëve në detyrë ndërsa kandidatët për drejtues kishin edhe mbështetjen e drejtorëve të shkollave ku zhvilluan praktikat profesionale (mentorët).

Projekt Propozimet ofronin zgjidhje konkrete mbi çështje e problematika që drejtorët në detyrë kishin identifikuar në shkollat ku ata ushtronin aktivitetin e tyre të përditshëm, ndërsa kandidatët për drejtues i kishin identifikuar ato gjatë praktikave profesionale që kishin zhvilluar në shkollat e përzgjedhur për kërë qëllim në bashkëpunim me MASR.

Projektet ndërthurën njohuritë e fituara gjatë trajnimit e praktikës profesionale si një mënyrë për të zgjidhur probleme dhe për të ofruar rezultate konkrete në dobi të nxënësve, shkollës e komunitetit.

Projektet më interesante, origjinale dhe me karakter praktik mund të shërbejnë si nisma konkrete për shkollat mentoruese të cilat mirëpritën kandidatët për drejtues që zhvilluan aty praktikat profesionale.

Pas përfundimit të prezantimit të projekteve, procesi i certifikimit për Brezin e II-të të pjesëmarrësve ( 16.10.2020-15.07.2021) në Programin e Trajnimit të Detyrueshëm vijoi me testimin me shkrim që u zhvillua më 15 Korrik 2021.

196 pjesëmarrës të cilët përmbushën me sukses detyrimet e Programit të Trajnimit u testuan me shkrim për njohuritë e fituara gjatë zhvillimit të moduleve teorike të programit.

Pjesëmarrësit që do të certifikohen për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar, tashmë do të kenë një vizion të ri për lidershipin në arsim ndërkohë që njohuritë e fituara do të ndihmojnë në rritjen e cilësisë së shkollave që ata do drejtojnë duke synuar një arsim sa më bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës.