Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL- Center for School Leadership) në përputhje me Vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve për Protokollet Anti-Covid të datës 20.10.2020 dhe shkresës me Nr.Prot 5838/2 datë 30.10.2020 të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë “Mbi fillimin e vitit akademik 2020-2021” drejtuar të gjithë Instutucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) publike e jo-publike në Shqipëri, gjatë periudhës 2 Nëntor – 30 Nëntor 2020 po zhvillon online deri në një njoftim të dytë, Programin e Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) për brezin e 2-të të kandidatëve të përzgjedhur për të qenë drejtues të certifikuar të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar (IAP).
Ky Program po zhvillohet njëkohësisht për 8 grupe pjesëmarrësish në Tiranë, Durrës, Elbasan nga ana e stafit akademik të institucioneve të përzgjedhur nga Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL- Center for School Leadership), të tillë si Fakulteti i Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale Turizmit e Sportit, Universiteti “Marin Barleti”, Tiranë, Fakulteti i Edukimit Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan.
Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL- Center for School Leadership) kishte hartuar tre skenarë të mundshëm për zbatimin e Programit me sukses në varësi të situates së pandemisë.
Fillimisht pjësëmarrësit në Program u pajisën me laptop personal për lehtësimin e këtij procesi si edhe u konsolidua më tej platforma për të mësuarit online Edu for School e cila ishte një tjeter risi e Programit këtë vit. U kryen trajnime të vazhdueshme me stafin e lektorëve dhe u asistuan pjesëmarrësit për mirëfunksionimin e saj. Tanimë çdo aktivitet në lidhje me Programin e Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit monitorohen në kohë reale nëpemjet kësaj platforme interaktive.
Ketë vit synohet që nëpërmjet angazhimit më të madh të ekspertëve të huaj në fushën e arsimit në Shqipëri, të rritim cilësinë e Programit nëpërmjet ofrimit të eksperiencave të suksesshme ndërkombëtare në fushën e administrimit dhe drejtimit të shkollës.
Programi i Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) është ndërtuar duke u mbështëtur në nevojat dhe standardet e drejtuesve të IAP (Institucioneve të Arsimit Parauniversitar) në Shqipëri por edhe në modelin e suksesshëm të Institutit “Avney Rosha”, në Izrael, për trajnimin dhe certifikimin e drejtuesve të IAP.
Filozofia e Programit është që pjesëmarrësit të përfitojnë njohuri dhe kompetenca nëpërmjet senacave teorike dhe ti zbatojnë ato në praktikë ku do të mbiqyren vazhdimisht nga trajnerët individual (coach) dhe drejtorët e shkollave ku pjesëmarrësit kryejnë praktikat profesionale (mentorët).
Përveç seancave të trajnimit për njohuritë teorike që po ndiqen online, Programi ka pjesë thelbësore praktikat profesionale të kandidatëve për drejtorë në shkollat e përzgjedhura në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit e Rinisë dhe seancat e analizës së eksperiencave gjatë këtyre praktikave, si pjesë e aftësive për të drejtuar një institucion të arsimit parauniversitar.
Këto forma jo tradicionale e mësuarit aktiv inkurajojnë të nxënit nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave praktike dhe hulumtimit në terren të problematikave.
Pjesëmarrësit në Program nga Tirana, Durrësi e Elbasani po e zhvillojnë këto praktika mësimore nëpër shkolla të caktuara pritëse të cilat u përzgjodhën në bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit, Sportit e Rinisë (MASR) dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (DPAP) .
Praktikat profesionale (Experiential learning) në shkollat e përzgjedhura po udhëhiqen nga mentorët (drejtorët e shkollave të përzgjedhura ku kryhen praktikat profesionale) dhe trajneri individual (coach) që po monitorojnë progresin e kandidatëve për drejtorë gjatë gjithë procesit trajnimit.
Në këto kohë të vështira pandemie Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” është angazhuar që Programi i Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) të zbatohet me cilësi pavarësisht mungësës së kontaktit fizik në klasë.
Ne tejkalojmë muret e klasave dhe takohemi në hapësirën e pafundme të dijes.