Në data 13 -17 Prill 2019, Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar në Shqipëri zhvilloi një vizitë studimore në Institutin Avney Rosha dhe Kibutzzim College, në Izrael.
Instituti Avney Rosha – Instituti Izraelit për Shkollën e Drejtorëve, krijuar në 2007-ën falë një nisme të përbashkët të Ministrisë së Arsimit në Izrael dhe Fondacionit Rothchild “Yad HaNadiv”, është bashkëpunëtori kryesor i Shkollës së Drejtorëve në Shqipëri. Falë punës së palodhur dhe përvojës së krijuar tashmë në ngritjen e një sistemi të fortë në përzgjedhjen e individëve që aspirojnë të bëhen drejtues të institucioneve arsimore, Instituti Avney Rosha shërben si një pikë referimi dhe udhëheqjeje për Shkollën e Drejtorëve në Shqipëri në arritjen e misionit të saj dhe të realizimit me sukses të objektivave të vendosura.
Gjatë vizitës së tyre, përfaqësuesit nga Shqipëria patën mundësi të njihen nga afër me procesin e përgjedhjes së aplikantëve që aspirojnë për drejtues të IAP, rolin e drejtuesve në zhvillimin institucional dhe pritshmëritë e tyre në marrjen e pozicionit të drejtuesit, si dhe mënyrat se si mund të përgatiten drejtues sa më të mirë përmes praktikës konkrete, krahas literaturës dhe orëve në auditorium.
Kjo përvojë e përfituar në Izrael do të mund të shërbejë për një zbatim sa më të cilësor të programit të trajnimit përgatitor të detyrueshëm për certifikim në Shqipëri, duke u përshtatur sigurisht sipas nevojave dhe standardeve të drejtuesve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar në vendin tonë.