Ceremonia e Certifikimit e vitit 2023

Në 12 Prill 2023 u zhvillua Ceremonia e Certifikimit për vitin 2023 e pjesëmarrësve që përfunduan me sukses Programin e Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor ( CTP) për drejtues të arsimit parauniversitar.

Të pranishëm në Ceremoninë e Certifikimit ishin zj. Evis Kushi, Ministre e Arsimit e Sportit; Bashkëdrejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim: z. Aleksandër Sarapuli, Rektorë Universitetesh, Drejtues dhe Trajnerë të Grupit si edhe Bashkëpunëtorë kyç të Shkollës së Drejtorëve.

U certifikuan në këtë ceremoni 283 pjesëmarrës (165 drejtorë, 59 nëndrejtorë dhe 59 mësues) mes të cilëve: 162 pjesëmarrës të Kohortës së Katërt që filluan në Janar 2022; 46 pjesëmarrës, të cilët kanë përfunduar Programin e Zhvillimit dhe Kualifikimit Profesional të ofruar nga IZHA në vitin 2016, por i janë nënshtruar filtrit të aplikimit hyrës dhe testimit për certifikim në përputhje me rregullat e CSL; si edhe 75 pjesëmarrës nga Kohortat e mëparshme që përfunduan me sukses procesin e testimit.

Kjo ceremoni u përshëndet nga zj. Evis Kushi, Ministre e Arsimit e Sportit. Në fjalën e saj zj. Kushi theksoi, se shkollave shqiptare u nevojiten drejtorë të certifikuar nga Shkolla e Drejtorëve.

Një fjalë përshëndetëse në këtë ceremoni mbajti edhe z. Aleksandër Sarapuli, bashkëdrejtor i Fondacionit Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim. Në fjalën e tij z. Sarapuli theksoi se cilësia e arsimit në përgjithësi dhe atij parauniversitar në veçanti është prioritet për Fondacionin dhe do të vazhdojë të jetë e tillë, pasi zhvillimi dhe progresi i një kombi mbështetet tek arsimi.

Falë Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar me Qendrën e Formimit të Drejtuesve të Shkollave pranë Shkollës Pasuniversitare të Edukimit në Universitetin e mirënjohur të Harvardit në SHBA, u akorduan 3 Bursa Merite për pjesëmarrësit me rezultatet më të larta në procesin e certifikimit për të përfituar nga programet e trajnimit të kësaj qendre.

Në përfundim të 4 Brezave CTP kemi 616 drejtues të certifikuar për drejtimin institucioneve arsimore.

Të promovojmë ekselencën dhe nxisim përmirësimin e ndryshimin!