Hapet thirrja për aplikime për drejtues të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar të Formimit Profesional

Afati i aplikimit : 6 Mars- 1 Prill 2023

 

Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar hap thirrjen II për aplikime në Programin e Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për Certifikim për drejtues të AFP, për të gjithë Drejtorët/Nëndrejtorët në detyrë dhe Mësues që aspirojnë për t’u bërë drejtorë apo nëndrejtor në Institucionet e Arsimit Parauniversitar të Formimit Profesional.

 

Thirrja do të jetë e hapur për drejtues në detyrë në Institucionet e Arsimit Parauniversitar të Formimit Profesional dhe kandidatët për drejtues të IAP-ve që ushtrojnë ose e kanë ushtruar profesionin e tyre, si në institucionet publike dhe në ato private.

Kandidatët e interesuar, përpara se të fillojnë përgatitjen e dokumenteve për aplikim, duhet të sigurohen që të plotësojnë kriteret e shpallura për përzgjedhjen e kandidatëve.

 

Kriteret që duhet të plotësojnë drejtorët/nëndrejtorët në detyrë dhe mësuesit që aspirojnë për t’u bërë drejtues janë:

  • Të kenë diplomë të studimeve universitare master i shkencave (ose të barasvlershëm me të), në një nga profesionet që lidhet me fushat e kualifikimeve të ofruesit;
  • Të kenë jo më pak se 5 vjet përvojë pune në menaxhim, në sistemin e AFP-së ose fusha të ngjashme;
  • Të kenë njohuri të përditësuara të teknologjisë së informacionit dhe gjuhës së huaj (certifikatë);
  • Nuk kanë masa disiplinore në fuqi në momentin e aplikimit.

 

Aplikimi për Programin e Trajnimit.

Dokumentet e nevojshme që kandidati i interesuar duhet të dorëzojë dhe mënyra e aplikimit përcaktohet si më poshtë. Të dhënat e kandidatëve do të grumbullohen duke respektuar Ligjin Nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” i ndryshuar.

 

Dokumentet e nevojshme për aplikim janë:

  1. Letër motivimi i/e aplikantit;
  2. CV i/e aplikantit sipas modelit Europass;     Format CV
  3. Fotokopje e dokumentit të identifikimit të vlefshëm;
  4. Mandat pagese për tarifën e aplikimit në vlerën prej 1000 lekë të reja, në llogarinë bankare të Shkollës së Drejtorëve
  5. Vërtetim për masa disiplinore lëshuar nga punëdhënësi
  6. Eksperienca në menaxhim (e përgjithshme jashte ose/dhe brenda IOAFP-se)
  7. Certifikata të trajnimeve të zhvilluara në fushën e menaxhimit dhe lidershipit, diplomë gjuhë të huaj dhe TIK.
  8. Formular vetë deklarimi që aplikanti nuk ka qënë i dënuar penalisht; (Formati) Formular vetëdeklarimi     Formular vetëdeklarimi
  9. Projekt për zhvillimin e institucionit të sistemit parauniversitar mbështetur në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Sistemit Parauniversitar në Shqipëri.     Format Projekti AFP

 

*Kopje të Diplomave universitare, të Listave përkatëse të notave dhe të Licencës për ushtrimin e profesionit (nëse e kanë);

*Vërtetim të eksperiencës si drejtues, Kopje të Kategorisë së Kualifikimit (nëse e kanë), Dëshmisë së Gjuhës së huaj dhe TIK;

Letër rekomandimi nga drejtuesi i institucionit. Në rastin kur aplikanti nuk është aktualisht në marrëdhënie pune, letrën e rekomandimit duhet ta marri nga institucioni arsimor i punësimit të tij më të fundit.

* Nuk është i nevojshëm noterizimi i dokumenteve, mjafton kopje e tyre.

 

Procedura e aplikimit

 

Shkolla e Drejtoreve do të pranojë vetëm aplikimet online përmes seksioni përkatës të aplikimit         Apliko Këtu!

 

Përpara se të nisni aplikimin online, sigurohuni që të gjithë dokumentet t’i keni të skanuara në format elektronik. Dokumentacioni elektronik që shoqëron aplikimin tuaj online, do të ngarkohet në sistem përmes llogarisë tuaj të aplikimit që do të krijoni.

 

Kujdes: Ndiqni videon me instruksionet përkatëse mbi mënyrën e kryerjes së aplikimit  për videon udhëzuese      Kliko këtu

 

Nëse keni pyetje për procesin e aplikimit online mund të na shkruani në: info@csl.edu.al

Afati i dorëzimit të aplikimeve dhe procedura e vlerësimit.

 

Aplikimet do të pranohen gjatë periudhës 06 Mars-01 Prill 2023

 

Aplikimet do të shqyrtohen nga Komisioni i vlerësimit të kandidatëve sipas kategorive dhe pikëzimit të përcaktuar në “Rregulloren për zhvillimin profesional dhe kualifikimin e drejtorëve/nëndrejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri”

 

Shkolla e Drejtorëve organizon procesin e vlerësimit, pranimit dhe regjistrimit të drejtuesve në detyrë në programin e trajnimit për drejtuesit e institucioneve të arsimit parauniversitar, sipas rregullores “Për zhvillimin profesional dhe kualifikimin e drejtorëve/nëndrejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri”, të miratuar nga Bordi Drejtues i Shkollës së Drejtorëve.    Rregullorja

 

Kandidatët të cilët kalojnë filtrin përzgjedhës dhe pranohen në programin e trajnimit do të njoftohen nga Shkolla e Drejtorëve se në cilën kohortë do të regjistrohen dhe ndjekin programin e trajnimit.

 

Trajnimi zhvillohet me kohë të pjesëshme, pa shkëputje nga puna. Në përfundim të programit të trajnimit, pjesëmarrësit në program i nënshtrohen testimit për t’u pajisur me certifikatën përkatëse për drejtues të institucionit të arsimit parauniversitar të formimit profesional.

 

Nëse drejtori në detyrë e humbet pozicionin e punes si drejtues shkolle nga momenti i aplikimit deri në regjistrimin e tij në trajnimin e detyrueshëm përgatitor, ai ka të drejtën të vijojë ndjekjen e programit në cilësinë e mësuesit si aspirant për drejtues të institucionit të arsimit parauniversitar.