Afati i aplikimit : 15 Maj – 15 Qershor 2024
Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar hap thirrjen e parë për aplikime në Programin e Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për Certifikim për drejtues të Arsimit Parashkollor si edhe për të gjithë mësuesit që aspirojnë për t’u bërë drejtorë në Institucionet e Arsimit Parashkollor.
Thirrja do të jetë e hapur për drejtues në detyrë në Institucionet e Arsimit Parashkollor dhe mësues që ushtrojnë ose e kanë ushtruar profesionin e tyre si në institucionet publike dhe në ato private.
Kandidatët e interesuar, përpara se të fillojnë përgatitjen e dokumenteve për aplikim, duhet të sigurohen që të plotësojnë kriteret e shpallura për përzgjedhjen e kandidatëve.
Kriteret që duhet të plotësojnë drejtorët në detyrë dhe mësuesit që aspirojnë për t’u bërë drejtues janë:
- Të kenë diplomë të studimeve universitare “Bachelor” që formon mësues të arsimit parashkollor;
- Të kenë jo më pak se 3 vjet përvojë pune si mësues në arsimin parashkollor;
- Nuk kanë masa disiplinore në fuqi në momentin e aplikimit.
Aplikimi për Programin e Trajnimit
Dokumentet e nevojshme që kandidati i interesuar duhet të dorëzojë dhe mënyra e aplikimit përcaktohet si më poshtë. Të dhënat e kandidatëve do të grumbullohen duke respektuar Ligjin Nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” i ndryshuar.
Dokumentet e nevojshme për aplikim janë:
- CV i/e aplikantit sipas modelit Europass;
- Fotokopje e dokumentit të identifikimit të vlefshëm;
- Mandat pagese për tarifën e aplikimit në vlerën prej 1000 lekë të reja, në llogarinë bankare të Shkollës së Drejtorëve;
- Vërtetim për masa disiplinore lëshuar nga punëdhënësi;
- Certifikata të trajnimeve të zhvilluara në fushën e fëmijërisë së herëshme dhe arsimit parashkollor;
- Formular vetë deklarimi që aplikanti nuk ka qënë i dënuar penalisht;
- Kopje të diplomave universitare, të listave përkatëse të notave dhe librezës së punës
- Vërtetim të eksperiencës si drejtues, Kopje të Kategorisë së Kualifikimit.
- Letër rekomandimi nga drejtuesi i institucionit. Në rastin kur aplikanti nuk është aktualisht në marrëdhënie pune, letrën e rekomandimit duhet ta marri nga institucioni arsimor i punësimit të tij më të fundit.
* Nuk është i nevojshëm noterizimi i dokumenteve, mjafton kopje e tyre.
Procedura e aplikimit:
Shkolla e Drejtorëve do të pranojë vetëm aplikimet online përmes seksioni përkatës të aplikimit Apliko Këtu!
Përpara se të nisni aplikimin online, sigurohuni që të gjithë dokumentet t’i keni të skanuara në format elektronik. Dokumentacioni elektronik që shoqëron aplikimin tuaj online, do të ngarkohet në sistem përmes llogarisë tuaj të aplikimit që do të krijoni.
Pagesa e mandatit të rregjistrimin bëhet në llogarinë:
Qendra Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar
Intesa SanPaolo Bank, Tiranë
Nr. Llogarie në Lekë: 10787031801
IBAN: AL43208110080000010787031801
Nëse keni pyetje për procesin e aplikimit online mund të na shkruani në: info@csl.edu.al
Afati i dorëzimit të aplikimeve dhe procedura e vlerësimit:
Aplikimet do të pranohen gjatë periudhës 15 Maj – 15 Qershor 2024.
Aplikimet do të shqyrtohen nga Komisioni i vlerësimit të kandidatëve sipas kategorive dhe pikëzimit të përcaktuar në “Rregulloren për zhvillimin profesional dhe kualifikimin e drejtorëve të institucioneve të arsimit parashkollor në Shqipëri”
Kandidatët të cilët kalojnë filtrin përzgjedhës dhe pranohen në programin e trajnimit do të njoftohen nga Shkolla e Drejtorëve se në cilën kohortë do të regjistrohen dhe ndjekin programin e trajnimit.
Trajnimi zhvillohet me kohë të pjesshme, pa shkëputje nga puna. Në përfundim të programit të trajnimit, pjesëmarrësit në program i nënshtrohen testimit për t’u pajisur me certifikatën përkatëse për drejtues të institucionit të arsimit parashkollor.
Nëse drejtori në detyrë e humbet pozicionin e punës si drejtues kopshti nga momenti i aplikimit deri në regjistrimin e tij në Trajnimin e Detyrueshëm Përgatitor, ai ka të drejtën të vijojë ndjekjen e programit në cilësinë e mësuesit si aspirant për drejtues të institucionit të arsimit parashkollor.