Shkolla e Drejtorëve të IAP është themeluar si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë (MASR), me qëllim përkrahjen e zhvillimit profesional të drejtuesve dhe kandidatëve për drejtues të institucioneve arsimore parauniversitare publike ose private, duke administruar trajnimin e detyrueshëm, procesin e certifikimit si dhe duke siguruar zhvillimin profesional të vazhdueshëm.
Kjo iniciativë e strukturuar dhe e qëndrueshme ndërmjet AADF dhe MASR, e institucionalizuar në marrëveshjen e tyre të nënshkruar më 4 tetor 2018, adreson nevojën thelbësore që i gjithë sistemi arsimor ka për zhvillimin profesional të drejtuesve të institucioneve arsimore parauniversitare dhe bazohet në dobinë e madhe që sistemi arsimor mund të ketë duke investuar në këtë segment të veçantë të sistemit arsimor në Shqipëri.
Në bashkëpunim të ngushtë me MASR, Ligji Nr. 48/2018 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 69/2012 ‘Për sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri” i ndryshuar, miratuar nga Parlamenti Shqiptar në korrik 2018, përfshin trajnimin menaxherial dhe administrativ sikurse dhe certifikimin profesional si një kërkesë shtesë e detyrueshme për të ushtruar rolin e drejtuesit të shkollës. Bazuar në këtë ligj të amenduar dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 540/2018 dt. 19.09.2018 “Për organizimin dhe funksionimin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar dhe mënyrën e trajnimit dhe të certifikimit të tyre”, Shkolla e Drejtorëve të IAP funksionon që nga tetori 2018 dhe ka pavarësi menaxheriale, administrative, financiare dhe teknike.
Shkolla e Drejtorëve të IAP është një nga projektet që AADF në bashkëpunim me aktorë të tjerë ka ndërmarrë në arsim, si një nga fushat më të rëndësishme në themelin e një zhvillimi të qëndrueshëm në Shqipëri.